Shqiperia-Etnike  
 
  Kulture 05/05/2024 8:00pm (UTC)
   
 
Mushka (tregim)
  Prof. Bedri Tahiri |   
Derisa tё na mungojё liria, 
ne do tё jemi gjithnjё kryengritёs. 
(B. Xhaferi) 

Sa herë që i bie të kalojë kufirin e mallkuar vëllandarës i kujtohet ajo ngjarje dhe trupin ia përshkojnë mornica të ftohëta e flokët i rrëqethen si ferra iriqi. Edhe sot, kur autoudha moderne ia mundëson një lëvizje të qetë e të lezetshme, posa ua hedh sytë majave të larta e të frikshme të Alpeve tona, me kokën tej e tej në qiell, zemra seç i rrah ndryshe dhe shpirtin ia kaplon një zymtësi e trishtë... 


Plagën e vet e kujton rrallë dhe as që i bën shumë përshtypje. Kur qe plagosur, në malet e Pashtrikut, kishte qenë ditë e ftohtë dimri, përplot me fërfëllizë e me stuhi. E uruara, të grinte si me brisk rroje. Ishte fundi i dhjetorit tekanjoz. Orteqet e mëdha të dëborës vrastare kishin mbyllur të gjitha shtigjet dhe rrugicat. Acar i paparë, sa e plaste edhe derrin e egër. Kur e kishte kapur cifla e granatës serbe, në gjurin e këmbës së majtë, nuk e kishte ndjerë fare. Ku ta ndjente, ore jahu, kur këmbët i kishin ngrirë e bërë kallkan! Currilat e gjakut patën qullur dhe shkrirë dëborën përreth tij e ky ende qëndronte pipth në këmbë. Kur trupi i bëshëm i komandantit mustaqezi iu hodh sipri dhe e palosi pas shkëmbit mbrojtës, ndjeu një therrje që ia ligështoi gjithë shtatin. Djersë të akullta ia mbuluan ballin si shteg mali... Më pastaj nuk i kujtohet asgjë. Nuk e mbante mend as kur bashkëluftëtarët besnikë e patën bartur në lese thuprash lajthie tatëpjetës, deri tek helikopteri që priste poshtë në një lëndinë të vockël sa një sofër buke. 

Vonë, fare vonë, kur plotësisht e pati lëshuar kllapia, kishte parë se ishte në spitalin ushtarak të Tiranës. 
-Doktor, kush më solli këtu? 
-Qetësohu djalosh se plaga do qetësi! 
-Mirë, mirë, po shokët ku i kam? Komandanti a ka shpëtuar, sepse kur plasi granata ai më mbuloi me trupin e tij dhe e pashë që i rridhte gjak nga mëngët e pelerinës?... 
-Po, po, të gjithë kanë shpëtuar dhe janë shëndoshë e mirë. Ata po presin që t’u bashkangjitësh e të vazhdoni rrugën e lavdisë... 

Ky qe kuvendimi i parë i luftëtarit shtatëmbdhjetëvjeçar, Agim Gurit me doktorin që i qëndronte te koka dhe kujdesej si për birin e vet. Ai tashmë ishte bërë njësh me luftëtarët e lirisë që kaptonin malet për t’i dalë zot Kosovës, e cila po lëngonte nën thundrën e ujqërve të stepave karpatiane...Si vëllau për vëllanë më! Gjaku nuk bëhej ujë! Tashmë që të gjithë ishin vënë në shërbim të çështjes së madhe kombëtare, luftës së drejtë të UÇK-së. 
Mirëpo, djaloshit sypatrembur, që kësaj radhe fati e kishte mëshiruar, një gjë nuk i shqitej dot nga mendja: Mushka! Madje, edhe në gjumë i dëftohej e uruara dhe, gjithherë, ngashërohej e zhgrehej në vaj... 
...Ishte ditë e zymtë vjeshte. Një shi imëtak të mërziste e të lagëte deri në palcë, pa e hetuar fare. Shi budalla, siç i thoshin pleqtë përvojëhidhur. Grupi i vullnetarëve të lirisë, ku bënte pjesë edhe Agimi, po mbushte dy javë të plota stërvitjeje në poligonët ushtarake në Kalimash. Dashuria për lirinë e trojeve stërgjyshore dhe nevoja për armatim, ua kishte ngrohur zemrat që të gjithëve dhe mezi prisnin ta merrnin rrugën e nderit, kthimin në frontet e luftës. Kjo ua shtonte edhe etjen për armë. Secili dëshironte të merrte sa më shumë sosh, madje edhe përtej mundësive që kishin për t’i bartur ato deri në fushëbeteja. 

Edhe trimin e ri e brente kjo lakmi. Mbase, më shumë së të tjerët. Kur hyri në depot e armatimit, syri nuk i ngopej dot. Që nga revolja deri tek mortaja e dorës i pëlqenin dhe ishte i gatshëm t’i ngarkonte mbi supet e tij të njoma. 
-Gimi, ty do ta japim një mushkë ta ngarkosh me armatim!- i thanë eprorët në Tropojë, duke ia kuptuar kërshërinë e pashuar të luftëtarit të ri e entuziast. 
-Mushkë?!- u çudit djaloshi. 
-Po, po, një mushkë të fortë e të rryer, e cila i di rrugët vetë dhe paskëtaj kthehet sërish këndej. 

O Zot, sa u gëzua! Ende sikur nuk po i besohej, edhe pse e dinte se aty kishte rregulla dhe nuk bëhej shaka. Kur ia sollën mushkën përpara përplot armatim, i erdhi gjaku në fytyrë. Sa nuk fluturonte nga gëzimi. Ke parë ti, ore vëllaçko, të dërgosh kaq armatim e municion atje në fronte, ku me një pushkë qëndrojnë në istikame nga tre- katër veta! Të gjithë do të gëzohen dhe do ta përqafojnë me dashuri e me krenari. 
Dhe, koha zgjatej në pafundësi, derisa të niseshin. Ora i bëhej shekull. I dukej se edhe dielli kishte ngadalësuar hapin. Pos barrës së mushkës, edhe vetë kishte marrë armatime e municione kalibrash të ndryshëm. Gjoksoren mbushur me bomba e karikatorë, thikën me këllëf të mirë lëkure, revolën 15-she, automatikun me shurdhues dhe snajperin amerikan, i kishte ngjeshur mirë e mirë mbi uniformën laroshe dhe veç priste komandën për nisje. 
Më në fund karvani i pafund nisi të gjarpëronte përpjetave, ku hijenat tinëzare vazhdimisht thurnin kurthe e leqe djallëzore. Hëna e plotë, si një nuse e teleisur ngeshëm, herë- herë ua ndriçonte dhiarët lakadredhëse, herë- herë fshihej pas resh, që harbueshëm harliseshin qiellit të paanë. 

Mushka e stërngarkuar ecte duke u hepuar sa majtas, sa djathtas. Troku i saj i ngjante në tiktaket e orës së vjetër në murin e odës së vjetër, e cila e zgjonte çdo mëngjes për të vajtur në shkollë. Ky e ndiqte prapa, duke medituar. Ecte ashtu kuturu, pa parë ku po e hidhte çapin. Ecte e mendonte. Planifikonte ndarjen e armëve. Mortajën e dorës dhe arkën me predha do t’ia besonte të atit, një ish luftëtari të Shaban Palluzhës, i cili me pushkën M-48, trashëguar nga gjyshi, që kishte qenë në çetat e Azem Galicës, po qëndronte në malet e vendlindjes. Edhe për të i kishte siguruar fishekë sa të donte. Të tjerat do t’i dërgonte në Shtab, në Likoc. Ah, jo, mos u nxitoni. Një kallash preciz AK-47, të cilin e kishte provuar gjatë stërvitjeve, do t’ia jap vëllait të madh mësues, i cili për ta marrë këtë rrugë të mundimshme e pengonte astma e shkretë. Ka edhe të tjerë që do të dëshironte t’ua jipte, por më mirë lë të vendosin vetë eprorët... 
-Kujdes djema, jemi në vendin e quajtur Kodra e Qoftëlargut,- foli komandanti, duke i udhëzuar që të lëviznin me sytë katër përbri atyre greminave të thella tmerruese. 
Kolona ngadalësoi marshimin. Dreq o punë! O Zot, më mirë që ishte terr dhe nuk po arrinin të shihnin deri poshtë. Para tyre shtigje të përthyera e të padepërtueshme. Pa, pa, pa! Vende- vende duhej zvarritur edhe këmbadorës. 

Djaloshi iu kishte ngjitur mushkës dhe mbahej për bishtin e saj. Nuk shikonte fare, këmbët i zvarriste si nëpër tehun e shpatës. Rrapëllima e gurëve që merrnin tatëpjetën nuk pushonte një copë herë. Atij dy herë iu përthurën këmbët dhe, po mos të mbahej për mushke, do të përfundonte në atë pafundësi marramendëse. Edhe për t’u lodhur, ishin lodhur dhe ishin sfilitur fare. Këmba këmbën ua merrte. Ylli i mëngjesit po zinte vend në horizont e këta ende nuk e kishin kapur majën kësulëbardhë... 
Sakaq dora e tij u shkëput rrëmbyeshëm nga bishti i mushkës. Obobo! Mushka ra në gjunjët e parë dhe lëshoi një hingëllimë vajtuese. Barra e rëndë u kalavit nga ana e poshtme. Trupi i saj u vërvit rrokullimë tatëpjetës. Një gjëmë mbytëse trandi kolonën. 
-Oh, mushka ime!- u dëgjua një britmë lemeritëse, sa dhe lugjet përreth oshëtinë fort e fortë. 
-Kujdes trima!- thirri sërish komandanti. 
Edhe ca gurë fluturuan përposhtë greminës me gojën e shqyer si të kuçedrës përbirëse. Mushka me gjithë armatim u tretë në ërrësirën skëterrore. Britmat e saj, kur përplasej nëpër shkëmbinjtë strallorë, e therrnin fort në zemër djaloshin që kishte ngelur si mumie e shushatur. Lotët i rrëshqisnin pandalshëm faqeve thatuke dhe mustaqeve të padjerësira. Përpiqej t’i shqyente sytë për të parë e dalluar diçka, por kot. Kurrë nuk do t’i bënin këmbët të ikte tutje po të mos ishte komandanti që ia hodhi dorën rreth qafe dhe i foli ëmbël: 
-Mos u mërzit, o trim. Mushka na i marrtë të ligat e sa për armatim kemi sa të duash. Do t’i grumbullojmë më shumë se sa ke pasur në mushkë dhe vetë do t’i shpërndashë sipas dëshirës! 
Ai zuri të ecte ngadalë e mërzitshëm. Këmbët ende nuk po e dëgjonin. Ecte me kokën prapa, andej ku i ishte gremisur mushka, për të cilën i qe ndarë zemra në dysh...Lotët i kishin ngrirë në qepallë...Eh, sa e sa mushka, kuaj e gomarë kishin përfunduar kështu. Edhe ata meritojnë të mos harrohen... 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
  Facebook 'Like' Button
Today, there have been 6 visitors (11 hits) on this page!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free