Shqiperia-Etnike  
 
  Gafurr ADILI - NËNA MË LINDI,SHQIPËRIA MË RILINDI! 05/05/2024 3:44pm (UTC)
   
 
NËNA MË LINDI,SHQIPËRIA MË RILINDI!
  Mr. Gafurr Adili |   
Mr. GAFURR ADILI: 


NËNA MË LINDI, 
SHQIPËRIA MË RILINDI! 


( Fjala mbrojtëse në Gjykatën e Faktit të Tiranës) 


Zonja dhe zotërinj të këtij proçesi politik të kësaj farse gjyqësore! 


Më lejoni që para se të paraqes fjalën time kryesore, në pika të shkurtra t'iu jap një paqyrë të shkurtër mbi jetën dhe veprimtarinë time mbi 25 vjeçare atdhetaro-revolucionare, siç vijon më poshtë : 
Quhem Gafurr Adili, i biri i Fazliut dhe i Safijes, vëllau i Isait dhe i 4 motrave: Naxhijes, Afijes, Amdijes dhe Tefikes, si dhe bashkëshorti i Fekrijes dhe baba i Kastriotit, Gëzimes dhe Kushtrimit, Kelmendit, Albulenës dhe Donikës. 
Kam lindur në 5 janar 1959 në fshatin Aranjell të Kërçovës apo të Usakanës Ilire. Shkollën fillore (tetëvjëçaren) e kreva në fshatin Kastriot (Serbicë e quajnë sllavo-maqedonasit), sepse në fshatin tim të lindjes as atëherë dhe as sot e kësaj dite nuk ka shkollë, dhe ashtu si unë dikur edhe vogëlushët e sotëm detyrohen që nëpër borë e nëpër shi të ecin me kilometra të tëra për të kryer shkollën fillore. Shkollën e mesme (gjimnazin e kreva në Prishtinë sepse atëherë gjimnazi në Kërçovë ishtë vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase. Të lartën (Fakultetin Juridik) gjithashtu e kreva në Prishtinë, dhe në 3 shkurt 1982 morra titullin: Jurist i Diplomuar. 
Më 7 shkurt 1982, sapo u ktheva në vendlindje, UDB-ja më arrestoi dhe më ngriti një mal me akuza, si "nacionalist", "irredentist", "separatist" dhe "agjent i Shqipërisë", por gjatë gjithë periudhës 2 mujore, përkundër gjithë asaj dhune dhe torture psiko-fizike nëpër qelitë e UDB- së në Kërçovë dhe në Manastir, arrita që t'i mohoj dhe të mos zbulohesha se isha pjestar i lëvizjes (së fshehtë) Atdhetaro- Revolucionare të Kosovës, dhe periudha 2 mujore më ishte shqiptuar si burg i mjaftueshëm për pjesmarrje në demonstratat e mars- prillit 1981. Demonstrata të cilat, dëshmori i kombit e shoku im i idealit -NUHI BERISHA, me plotë të drejtë, i ka quajtur "PRANVERA E LULEVE TË KUQE". 
Me inisiativën dhe këmbënguljen e dëshmorit tjetër të kombit, të rënë bashkë me bashkëshorten e vet- XHEVE KRASNIQIN në luftën e Kosovës, shokut FEHMI LADROVCI, në shtator të vitit 1982, në Universitetin e Zagrebit, i regjistrova studimet pasuniversitare ( për Magjistraturë) dhe deri në nëntor 1984 i përfundova të gjitha provimet në lëmin: "Aspektet Ekonomiko - Juridike gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit". 
Viti 1984 ishte viti i goditjeve të rënda që mori Lëvizja Atdhetaro- Revolucionare e Kosovës. Dimri ishte shumë i egër dhe fushatat ndëshkuese të UDB -së rëndë po i godisnin radhët tona. Në janar dhe shkurt 1984 në luftë e sipër ranë për të mos vdekur edhe ideologët e PARTISË SË LUFTËS SË KOSOVËS: dëshmorët: RREXHEP MALAJ, NUHI BERISHA dhe BAJRAM BAHTIRI, si dhe me dhjetra atdhetar revolucionar të PLK-së.U arrestuan edhe 5 shokë në Kerçovë, kurse unë, Ali Ahmeti (tani kryetar i BDI-së) dhe Musa Xhaferri (aktualisht zëvëndëskryeministër i Branko Crvenkoskit) u arratisëm dhe u vendosën në Luzern të Zvicrës. 
Që nga 11 prilli i vitit 1985, kohë kjo kur iu nënshtrova proçedurës së refugjatit politik, status të cilin e fitova në shtator të vitit 1985, bashkë më bashkëshorten time dhe 6 (gjashtë) fëmijët kam jetuar, punuar dhe vepruar në Malters, një fshat ky jo larg Lucernit të Zvicrës. Kurse, nga shtatori 1985 dhe deri në fund të dhjetorit 1993, kam punuar në dy fabrika, ku si pasojë e punës së rëndë fizike, si dhe nga torturat e dikurshme të UDB-së, në fund të vitit 1993 u sëmura rëndë dhe nga kjo kohë përfitova pensionin invalidor. 

Zonja dhe zotërinj! 

Shkëndijat e para të frymëzimit tim atdhetaro-revolucionar, që në shkollën fillore, m'i mbolli ish mësuesi im, Profesor Sulejman Elezi, me të cilin më vonë u bëmë edhe shokë të një organizmi, të organizatës "KUSHTRIMI I LIRISË", të cilën e udhëhiqte dhe e drejtonte atdhetaro-revolucionari i shquar RAFI HALILI nga Tetova. Me Profesor Sulejman Elezin, (Sulë Starovën) tanimë i ndjerë (vdiq në Çikago në dhjetor të vitit 2000), në pranverë të vitit 1980 pata nderin e madh që të vizitoja Ambasadën Shqiptare në Beograd, ku pasi pimë kafe dhe konjak " Skënderbej" i morëm edhe disa revista dhe libra, të cilat ua sollëm shokëve e shoqeve në Kërçovë që t'i lexonin dhe t'i shpërndanin bashkë me gazetat e fshehta të kohës si "LIRIA" dhe "LAJMËTARI I LIRISË" 
Viti 1974, vit ky kur unë shkova në Prishtinë, ishte koha kur Kosova pas demonstratave të vitit 1968, në të cilat demonstrata populli kishte kërkuar statusin Republikës, por që regjimi i rrenegatit Tito, Kosovës i kishte njohur vetëm statusin e krahinës autonome, ishte koha kur Shqipëria me Kosovën kishin lidhur një marrëvëshje për shkëmbime arsimore, kulturore dhe sportive. Një rol të madh për këtë marrëveshje kishte lozur edhe intelektuali atdhetar, ish i burgosur politik i vitit 1981 dhe aktualisht i zhdukur nga Burgu i Dubravës, ku vuante burgun për herë të tretë, magjistri i shkencave politike dhe Kryetari i Nderi i Frontit për Bashkim Kombëtar (FBKSH-së), UKSHIN HOTI. Profesorë të shumtë ndër të cilët edhe Rexhep Mejdani dhe Pëllumb Bitri, artistë e artiste si: Tinka Kurti, Kadri Roshi dhe Sulejman Pitarka, këngëtarë e rapsodë si Fitnete Rexha, Shyqyri Alushi dhe Sali Mani si dhe sportistë e sportiste të shumta vinin në Kosove, të cilët përmes ligjëratave, dramave, këngëve dhe ndeshjeve sportive, mua dhe shumicës dërrmuese të rinisë së Kosovës na frymëzonin dhe na edukonin me ndjenjat e patriotizmit dhe të atdhedashurisë. 

Zonja dhe zotërinj! 

Tanimë fare mirë dihet historia jonë kombëtare e shkruar me gjak dhe barot, të cilën e kemi pasqyruar edhe në platformën e Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH), por unë këtu do të ndalesha në një pjesë të saj, të cilën edhe vetë e kam përjetuar, e cila më ka lënë mbresa të pashlyera dhe e rikujtoj, prandaj, më lejoni që të gjithë atyre që nuk e njohin dhe, ose e kanë harruar apo dëshirojnë që ta harrojnë t'ua rikujtoj, sepse e respektoj thënien e vjetër latine: "HISTORIA ËSHTË MËSUESJA E JETËS" dhe unë përpiqem dhe do të përpiqem ta respektoj edhe në të ardhmen, si më poshtë vijon: 

-10 Qershori i vitit 1978 ishte një datë e shënuar historike. Shqiptarët festonin 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me këtë rast u bë edhe shpalosja e Programit të kësaj Lidhjeje, si rezultat erdhi edhe krijimi i grupeve dhe organizatave (të fshehta) si dhe konsolidimi i Lëvizjes Atdhetaro-Revolucionare të Kosovës. Nga ana tjetër, nga kjo kohë e deri në shpërthimin e demonstratave mbarëpopullore të vitit 1981,si dhe pas asaj deri në kohën e shpërbërjes së krijesës artificiale me emrin RSFJ, në hapësirat shqiptare të Kosovës dhe trojeve shqiptare nën ish RSFJ u zhvillua një luftë midis dy koncepteve: 

1.Koncepti i parë përfaqësohej nga titistët shqipfolës, të cilët propagandonin dhe forconin "vëllazërim-bashkimin" jugosllav, të cilët pretendonin që popullin shqiptar, fillimisht ta zhvishnin nga ndjenjat e shqiptarizmit dhe më vonë edhe ta asimilonin dhe si përfundim të krijonin një komb tjetër me emrin Kombi Kosovar. Titistët shqipfolës jo vetëm propagandonin edhe për martesat e përziera të shqiptarëve e shqiptareve me joshqiptarë e joshqiptare, por në këtë drejtim edhe jepnin shembujt e tyre konkret. Të tillët, të organizuar në kuadër të LKJ-së (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë) për Kosovën më shumë e donin Jugosllavinë se sa Shqipërinë. 
1. Koncepti i dytë ishte koncepti i ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe jetësimit të Programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishim ne rinia e Kosovës dhe viseve të saj, tanimë të organizuar në grupet e shumta të Lëvizjes Atdhetaro-Revolucionare të Kosovës. 

Pra, ishte kjo periudha kur unë po rilindja dhe jo rastësisht fjalën time kryesore e titullova; NËNA MË LINDI, SHQIPËRIA MË RILINDI, sepse gjatë kësaj periudhe (1974-1980) unë u formova si personalitet atdhetar dhe u pajisa më virtytet më të larta atdhetaro-revolucionare. Më lejoni që me këtë rast të përshendes të gjithë atë plejadë profesorësh, artistësh, këngëtarësh dhe sportistësh të Shqipërisë Londineze ( të cilët janë gjallë) t'i përshëndes dhe t'i falemnderoj për punën e tyre të bërë, me ndershmërinë dhe përgjegjësinë më të lartë atdhetare që iu kishin ngarkuar personalitetet dhe drejtuesit më eminent të Shqipërisë dhe të grupeve dhe organizatave atdhetaro-revolucionare të Kosovës, kurse familjeve dhe shokëve të idealit kombëtar, të cilët tanimë janë edhe dëshmorë të kombit, t'iu shpreh konsideratat e mia më të larta dhe të të gjithë anëtarëve të Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH). 
Lufta midis këtyre dy koncepteve, kjo luftë konceptesh ndërshqiptare të Kosovës dhe trojeve të saj nën Serbi, nën Mal të Zi dhe nën Maqedoni u ashpërsua gjatë dhe pas demonstratave të pranverës 1981, ku të parët, titistët shqipfolës, të ndihmuar jo vetëm nga propaganda jugosllave, por edhe nga aparati shtetëror jugosllav (UDB, policia dhe ushtria), fillimisht duke instaluar edhe të ashtuquajturin "diferencim ideopolitik", që nënkuptonte spiunimin shqiptarëve nga vetë shqiptarët, filluan një luftë të ashpër dhe hakmarrëse kundër forcave atdhetaro-revolucionare, ku për pasojë u vranë 11 demonstrues, qindra të plagosur dhe mbi 70 mijë djem e cuca shqiptare u dënuan nga gjykatatat jugosllave. 
Kjo luftë konceptesh vazhdoi edhe pas vitit 1990, por këtë radhë fatkeqësisht në të gjitha hapësirat e Shqipërisë Etnike, kur në këto hapësira u krijuan edhe partitë e para politike si: LDK , PPD , PVD dhe LDKMZ, të cilat përmes programeve dhe organizimit të tyre kishin njohur ndarjen e Kosovës që kishte bërë regjimi i rrenegatit Tito në vitin 1945. Megjithatë në këtë periudhë krahas organizatave (të fshehta) atdhetaro-revolucionare u krijuan edhe parti politike që në programet e tyre parashihnin unitetin dhe bashkimin kombëtar, nismë kjo që dështoi dhe degjeneroi në : Tetova 1 dhe Tetova 2 me një Kuvend të Shkencave dhe të Arteve të Republikës së Shqipërisë dhe njihet si Platforma e Bashkimit Kombëtar, 60% të së cilës e kemi në Platformën e Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH). 

Pranvera ë viit 1981, kjo pranverë e luleve të kuqe të Kosovës, ishte fillimi i një lufte për liri. Demonstratat e pranverës së vitit 1981, në të cilat jo vetem isha pjesmarrës direkt, por dhashë edhe kontributin tim modest në mbarëvajtjen e tyre, ishin demonstratat kur të sëmurës së Ballkanit ia tronditën themelet, ishin demonstratat që njëhërë e përgjithmonë e prishën "vëllazërim-bashkimin" jugosllav dhe penguan asimilimin e shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve shqiptare nën ish-Jugosllavi. Goditjet më të rënda Lëvizja Atdhetaro- Revolucionare e Kosovës i mori në janar 1982 kur UDB-ja në Gjermani vrau vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën, në janar dhe shkurt 1984, kur po ashtu UDB-ja në Prishtinë vrau Rexhep Malajn, Nuhi Berishën dhe Bajram 

Bahtirin, dhe unë me krenarinë më të lartë kombëtare kam patur fatin dhe nderin e madh që jo vetëm ti njoh dëshmorët Kadri Zeka dhe Nuhi Berisha, si dhe më vonë edhe Enver Hadrin, të cilin gjithashtu UDB-ja në Bruksel e vrau, por edhe të jem bashkëluftëtar i tyre. 
Nga goditjet e sipërcekura, si dhe nga arrestimet e shumta, ku sipas një statistike, mbi 70 mijë djemë e cuca janë dënuar me mijëra vite burg, kur unë shkova në Zvicër, më 11 prill 1985, këtë lëvizje e gjeta të përçarë dhe midis dy Lëvizjeve për Republikën e Kosovës po zhvillohëj një luftë e rreptë grupesh dhe një devijim nga Programi Politik apo më mirë të them largim nga bashkimi kombëtar, kur njëra LPK ( me adresë) deklarohej se punonte dhe luftonte që ish krahina e Kosovës të bëhej Republikë dhe tjetra (ajo pa adresë) deklaronte se qëllimi i parë dhe i fundit ishte Republika e Kosovës. Unë dhe disa bashkëveprimtarë të tjerë nuk u pajtuam që as të implikohemi në këtë luftë të ndyrë grupesh dhe aq më tepër të hiqnim dorë nga betimi ynë -bashkimi kombëtar, kështu krijuam Grupin Revolucionar të Kosovës, përmës të cilit rregullisht u përpoqëm që të bashkonim grupet dhe organizatat rreth një Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar. Më 16 tetor 1992 në Vushtërri të Kosovës, organizuam Konferencën e Organizatës Revolucionare Shqiptare (ORSH), ku u bë kalimi në PRSH (Partia Revolucionare Shqipatare) dhe unë u zgjodha Përfaqësues Publik (Zëdhënës) i PRSH-së. Numrat e parë të organit të PRSH-së "Kushtrimi i Lirisë" i nxorrëm në Kosovë, fillimisht në Deçan dhe më vonë në Prishtinë, deri në verë të vitit 1993, kohë kjo kur Serbia i goditi forcat atdhetaro-revolucionare, kurse disa të tjerë ndër të cilët edhe antari i redaksisë dhe bashkëpunëtori im, dëshmori Ali Ukaj, të cilin dora e zgjatur e UDB-së e vrau në Tiranë dhe opinioni i Republikës së Shqipërisë e njeh si gazetar i gazetës "Gazeta Shqiptare". Kjo dorë e zezë serbe më herët kishte vrarë furnizuesin e parë të Ushtrisë Clirimtarë të Kosovës (UÇK), dëshmorin Remzi Hoxha, si dhe më vonë shefin e logjistikës së UÇK-së, komandant Mërgimin, dëshmorin e kombit Ilir Konushevcin. Në kohën kur të gjitha masmediat e shkruara dhe ato elektronike shqiptare po shpifnin kundër Ushtrisë Clirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët UÇK-në e quanin "ushtri të fakseve", "dorë të zgjatur të Serbisë", "grupe katundare" dhe "organizatë terroriste" etj., si dhe se gjoja aksionet në Kosovë po i kryente Serbia dhe se gjoja të gjithë policët serbë në Kosovë po i vriste Serbia, organi i Partisë Revolucionare Shqiptare (PRSH) "Kushtrimi i Lirisë" kryeredaktor i të cilës isha unë, organ i cili në ballinë lëshonte thirrjen kushtrim: "Shqipëtarë bashkohuni dhe ngrituni në luftë për bashkim kombëtar" shkruante:" Kush i’u frikësohet aksioneve çlirimtare në Kosovë?!" , apo me rastin e rëniës së dëshmorëve: 
ZAHIR PAJAZITI, EDMOND HOXHA dhe HAKIF ZEJNULLAHU shkruante : " RANË TRE PËR TU RINGRITUR TREQIND" 

Zonja dhe zotërinj! 

Të gjithë bashkëveprimtarët e mi e dinë se unë kurrë nuk kam dashur që të flas në njëjës dhe se kam qenë edhe jam armik i përbetuar i kultit të individit, por aktualisht jam i shtrënguar që t'ua them disa gjëra për mua, si më poshtë vijon: 

E para, që unë të rritem dhe të shkollohem kurrën e kurrës nga ish- Jugosllavia nuk kam përfituar as bursë dhe as kredi, por jam rritur dhe shkolluar vetëm nga djersa e familjes sime, për ç'ka babai im është dashur për disa dekata të tëra të derdhë djersën në Vjenë të Austrisë. Gjithashtu, për aktivitetin tim atdhetaro-revolucionar kurrën e kurrës nuk kam marrë as qoftë edhe një frangë zvicerane nga fondet e organizatave që ju përkisja, përkundrazi gjithmonë kam qenë anëtari më i rregullt në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara si: antarësia mujore dhe kontributet e obliguara si dhe të gjithë aktivitetin tim e kam mbuluar nga buxheti i familjes sime, çka do të thotë nga kafshata e gojës së gjashtë fëmijëve të mi. 

E dyta, kurrën e kurrës nuk kam qënë antar i ish- Lidhjes Komuniste Jugosllave (LKJ), sepse sapo i kisha mbushur 19 pranvera isha inkuadruar në Lëvizjen Atdhetaro-revolucionare të Kosovë 
Dhe, kur ne vitin 1980, LKJ deshironte të më pranonte në radhët e saj, unë deklarova se: Kurrën e kurrës nuk do të bëhem anëtar i një lidhjeje që shtyp dhe vret popullin tim!" 

E treta, as uniformën e të shtuquajturës APJ (Armata Popullore Jugosllave) nuk pranova që ta vishja sepse nuk mund të vishja uniformën e një ushtrie pushtuese të tokave shqiptare, për të cilat isha betuar se do të luftoja që t’i çliroja dhe t’i bashkoja me Nënën Shqipëri. 

E katërta, siç e ceka edhe më sipër menjëherë pas kremtimit të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 Qershor 1978, u organizova në radhët e Lëvizjes Atdhetaro-Revolucionare të Kosovës dhe kisha bërë një betim: "BETOHEM SE DERI NË VDEKJE DO TË LUFTOJ PËR ÇLIRIMIN E TOKAVE SHQIPTARE TË PUSHTUARA DHE PËR BASHKIMIN E TYRE ME NËNËN SHQIPËRI..BETOHEM!" 

Përafërsisht ky betim, brez pas brezi i ka organizuar edhe gjeneratatat e reja ndër të cilët edhe luftëtarët e UCK-së, shumica e të cilëve kanë rënë dëshmorë. Pra, janë vetëm dëshmorët e kombit ata që kanë përmbushur betimin e bërë, kurse ne të gjallët, ndër të cilët edhe unë, përkundër përpjekjeve të shumta dhe sakrificave të bëra, përderisa trojet e shqiptarëve janë të ndara dhe të pushtuara e të kolonizuara nga pushtuesit e kolonizatorët sllavo-grekë, nuk e kemi kryer obligimin ndaj Kombit dhe Atdheut ashtu siç e kanë përmbushur dëshmorët e kombit. Por, jam mëse i sigurtë që për as sa e zeza e thoit dhe per as sa një fije floku nuk e kam dëmtuar Kombin dhe Atdheun, prandaj edhe më këtë rast po nga kjo gjykatore po ribetohem; se deri në frymëmarrjen time te fundit do të punoj, do të veproj dhe do të luftoj për çlirimin dhe ribashkimin e Kombit Shqiptar në një SHQIPËRI TË BASHKUAR. 

E pesta, dhe e fundit, siç e përmenda edhe më herët që në rini, ATMËMËDHEU IM- SHQIPËRIA ka qënë nena ime e dytë. Nënë Safija më lindi dhe Nënë Shqipëria më rilindi, prandaj si dikur edhe sot edhe në të ardhmen Shqipërinë e kam quajtur dhe do ta quajë NËNË, paçka se kjo Nënë ka shumë djemë të përdalë, lakmitarë dhe plangprishës, të cilët këtë ZONJË TË RRALLË e kanë mplakur para kohe, e kanë djegur dhe shkatërruar disa herë si në vitet 1991, 1992 dhe 1997. Por për idealistët të cilët kurdoherë parim kanë patur, që të shkrijnë pasurinë për ta bërë Shqipërinë, dhe janë në kundërshtim të plotë me bijtë e tjerë plangprishës, të cilët e shesin Shqipërinë për të bërë pasurinë për vete dhe pasardhësit e tyre, nëna më tepër se kurrë kur mplaket ka nevojë për ndihmën e bijve e bijave që i lindi, i rriti dhe i rilindi. Dhe, unë tani më shumë se kurrë më parë e dua dhe do ta dua Nënën Shqipëri, paçka se vëllezërit e mi plangprishës, më 9 mars 2003, nuk më lejuan që ta shoh Nënën Shqipëri dhe më kthyen nga Aeroporti i Rinasit, paçka se më 30 Qershor 2003, kur unë erdha që ta shihja këtë Nënë, më prangosën dhe më futën në atë burg në të cilin vite më parë kishin futur dëshmorët e kombit : ADEM JASHARIN, ZAHIR PAJAZITIN dhe LUAN HAJRADINAJN, paçka se më kanë përgatitur një farsë gjyqësore me disa akuza sa absurde po aq banale, se gjoja unë paskëm nxitur urrejtje nacionale, fetare apo se gjoja unë dhe Taip Mustafai paskëshim planifikuar të godasim objektet ushtarake dhe policore të FYROM-it!!! 

Zonja dhe Zotërinj! 

Askund as në platformën dhe statusin e FBKSH-së, nuk mund të gjeni, qoftë edhe një fjalë, ku të jetë shprehur urrejtja jonë për popujt sllavo- grekë, por vetëm për pushtuesit e kolonizatorët e trojeve shqiptarë të Shqipërisë Etnike. Gjithashtu, as në ndonjë deklaratë apo intervistë me siglën e FBKSH-së dhe të AKSH-së, nuk mund të gjeni qoftë edhe një thirrje drejtuar popullit shqiptar që të sulmojë minoritet sllavo-greke dhe pronat e tyre ne Republikën e Shqipërisë. Dhe, jo vetëm në Republikën e Shqipërisë, ku vepron Kushtetuta dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, por as edhe kundër popujve sllavo-grekë, qeveritë e të cilëve mbajnë të pushtuar e të kolonizuar më tepër se gjysmën e trojeve dhe të popullit të Shqipërisë Etnike, nga të cilët kemi kërkuar, kërkojmë dhe do të kërkojmë që të largohen nga trojet tona sepse në të kundërtën do ti detyrojmë që të largohen të humbur dhe me turp. 
E kemi thënë se ne nuk do të lejojmë, që Republika e Shqipërisë të kufizohet me trojet dhe popullin e vet dhe as që do të pranojmë më që populli shqiptar të jetë i pushtuar e i kolonizuar nga pushtuesit e kolonizatorët sllavo- grekë. 
Pastaj, të pish kafe në një lokal publik në Peshkopi nuk eshtë flagrancë, apo konsumim i veprës penale dhe as që mund të arsyetohet mbjatja në burg apo edhe gjykimi i një Invalidi të Luftës së Kosovës, shokut TAIP MUSTAFAI-Komandant Vardarit, bashkëluftëtarit të dëshmorëve të kombit ISMET JASHARIT-KUMANOVA dhe TAHIR SINANIT- TROPOJA, të cilin rapsodi popullor për pjesëmarrjen në luftën e Kosovës e quan Tahir Kosova, për pjesëmarrjen në luftën e Preshevës, e quan Tahir Presheva dhe për pjesëmarrjen në luftën e Gostivarit e quan Tahir Shqipëria. 
Me mua kafe kanë pirë edhe shumë personalitete intelektuale e publike nga të gjitha hapësirat e Shqipërisë Etnike, ndër të cilët edhe shumë personalitete të strukturave drejtuese të Republikës së Shqipërisë dhe sikur t'i arrestonit dhe t'i sillnit në gjykatore që të gjithë, besoj së do të duhej që fillimisht Republika e Shqipërisë të ndërtonte disa amfiteatro të stilit romak. 
Edhe sikur të ishte e vërtetë që ashtu siç supozoka prokuroria shqiptare, pra se ne paskëshim planifikuar që ti godasim objektet ushtarake e policore të FYROM- it, vallë pse u dashka që policia dhe prokuroria shqiptare ta mbronte FYROM-in?! A mos vallë krijesa artificiale me emrin FYROM, nuk paska polici dhe ushtri, për ta mbrojtur FYROM-in ?! Apo ndoshta dikush planifikon që Republikën e Shqipërisë ta bëjë pjesë integrale të Konfederatës Ballkanike Sllavo-Greke?! 
Jo, Zonja dhe zotërinj, FYROM-i ka edhe polici edhe ushtri, të cilat gjatë kësaj përiudhe 10 vjeçare disa herë me rradhë i kanë lyer duart më gjak shqiptari, ku për pasojë mbi 300 shqiptarë të Republikës së Shqipërisë i kanë vrarë në zonat kufitare. Gjithashtu, ka masakruar Ladorishtin e Strugës, Bit Pazarin e Shkupit, Reçicën Tetovës edhe Brezën, ku kjo polici e ushtri kriminele i vrau dy shqiptarë që akoma nuk i kishin mbushur 18 pranverat. Besoj që i gjithë kombi ynë akoma e ka të freskët masakrën makabre mu në sheshin e Tetovës, ku kriminelët sllavo-maqedonas jo vetëm që vranë babën dhe djalin e tij, por i përdhunuan edhe kufomat e tyre. Që të gjitha këto masakra që ceka më lart i ka projektuar dhe drejtuar anti- shqiptari me emrin Branko Crvenkoski. 

Zonja dhe zotërinj! 

Çuditërisht gjatë kësaj periudhë 10 vjeçare te ne shqiptarët kanë ndodhur disa fenomene absurde, dhe në pamundësi për t’i potencuar, po i rikujtoj vetëm ato më kapitalet si më poshtë vijon: 

1. Kur filloi shpëbërja e krijesës artificiale, të sëmurës së ballkanit me emrin Jugosllavi, dhe kur popujt e saj : sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe sllavo-maqedonasit po punonin, vepronin dhe luftonin për lirinë dhe sovranitetin e tyre, ne shqiptarët në vend që të punonim, vepronim dhe luftonim u morrëm me vetveten, ku për pasojë shqiptarët e Shqipërisë Londineze digjnin dhe shkatërronin pasurinë kombëtare, kurse partitë politike shqiptare në FYROM kontribuonin që kjo krijesë artificiale të bëhej shtet. Në kohën kur askush nuk e njihte dhe pranonte FYROM-in, qeveria e Republikës së Shqipërisë qe e para që e njohu pa kushte, si dhe tani kur askush nuk e quan me emrin kushtetues-Maqedoni, por e quajnë dhe e njohin si FYROM, është qeveria e Republikës së Shqipërisë ajo që me gojën plot e quan "Maqedoni". 

2 . Republika e Shqipërisë, një shtet me sovranitet mbi 80 vjeçar ngelet pa aktin më të lartë juridik, pa Kushtetutë, kurse nga ana tjetër ka një gjykatë kushtetuese, detyra e se cilës është që të kontrollojë ligjshmërinë dhe kushtëtushmërinë e ligjeve për kushtetutën, si dhe të kontrollojë që ligjet dhe kushtetuta të mos shkilet nga organet drejtuese të Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër Republika e Kosovës e panjohur ndërkombëtarisht, kishte kushtetutë dhe nuk kishte gjykatë kushtetuese për të kontrolluar organet drejtuese të Republikës së Kosovës, të cilët me mos konstituimin e Parlamentit të Kosovës, i cili do të duhej të ndërtonte infraskturën ligjore për qeverisjen e Republikës së Kosovës, por shkilnin Kushtetutën e Kosovës, si dhe përderisa atdhetarët shqiptarë të Kosovës, të cilët tani ishin rreshtuar në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe po ndiqeshin nga policia serbe duke u detyruar që të strehoheshin në Shqipërinë Londineze, dora e zgjatur serbe këtu në Shqipëri i arrestante, siç ka qenë rasti i burgosjes së themeluesve e drejtuesve të lartë të UÇK, dëshmorëve: Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Luan Hajradinaj. Po kjo dorë e zezë, po këtu në Shqipëri, arriti te vrasë: Remzi Hoxhën (financuesi i parë i UÇK, Ali Ukaj, zëdhënesi i parë i UÇK dhe Komandant Mërgimi- Ilir Konushevcin, shefi i logjistikës së UÇK. 

3. Përderisa organizatat atdhetaro-revolucionare dhe pas vitit 1990 dhe shumë parti politike shqiptare, të cilat në programet e tyre kishin Bashkimin Kombëtar Shqiptar, nuk arritën që të krijonin krahun e tyre të armatosur, në rastin e UÇK ndodhi e kundërta! UÇK nuk pati formacion politik drejtues që ta drejtonte politikisht, sepse fare qartë dihet që lufta fillon me mjete politiko- diplomatike dhe kur ato nuk japin rezultatet e duhura, atëherë vazhdohet me mjete politike të dhunës dhe në fund përfundon po me mjete politike- diplomatike. 

4. Jo vetëm në historinë tonë kombëtare të shkruar me gjak e barot, por në as historitë e popujve të tjerë nuk është dëgjuar që në ndonjë vend të jetë formuar ndonje ushtri, aq më tepër me emertimin çlirimtare dhe kombëtare, që të mbronte sovranitetin e shtetit kundër të cilit kjo ushtri çlirimtare dhe kombëtare po luftonte. Kjo ushtri çlirimtare, e emërtuar dhe kombëtare, do të duhej të luftonte për çlirimin e tokave shqiptare dhe për bashkimin e tyre në një shtet kombëtar. Pikërisht, emërtimi Ushtri Çlirimtare Kombëtare- UÇK, ishte dhe arsyeja e logjikshme e djemve dhe e cucave shqiptare që mbushnin radhët e saj, të cilëve drejtuesit e lartë të UÇKombëtare nuk iu kishin dhënë asnjë Platformë, derisa dolën me Komunikatën Nr. 6, përmes së cilës drejtuesit e saj deklaronin se nuk luftonin për çlirimin e trojeve shqiptare nën FYROM, se nuk ishin për ndarjen e FYROM-it, se e njihnin dhe e pranonin sovranitetin dhe integritetin territorial të FYROM-it dhe se luftonin dhe kërkonin të drejta kushtetuese për shqiptarët në FYROM. Nga ky veprim unikal në botë të krijohet dyshimi, sikur dikush na ishte ngritur për ta prishur FYROM, apo drejtuesit e UÇKombëtare nuk e dinin se, për të krijuar partitë politike do të mjaftonin 120 nënshkrime dhe nuk duhej luftuar, luftë kjo që shkatërroi zona të tëra shqiptare?! Sikur djemtë dhe vashat, që u radhitën në radhët e UÇKombëtare, ta kishin ditur platformën e liderëve të saj që ishte Komunikata Nr 6, e cila u publikua pasi këta djem dhe vasha kishin rrokur armët dhe ballë për ballë po luftonin kundër policisë dhe ushtrisë sllavo-maqedonase.Besoj se nuk do të ishin radhitur në radhët e UÇKombëtare, sepse këta heronj të gjallë nuk do të pranonin të jepnin jetën, gjakun dhe gjymtyrët e tyre , si dhe të digjeshin e të shkatërroheshin fshatra të tëra shqiptare ,për të krijuar parti politike që dikush të ulet në kolltuqet sllavo-maqedonase të antishqiptarit të përbëtuar,Branko Crvenkonski, të cilët tani riaktivizojnë ish "vllazërim-bashkimin" jugosllav, të kamufluar me "multientitet" dhe "integrim ndëretnik" 
Aktualisht ish liderët e ish UÇKombëtare, të cilët me gjakun e dëshmorëve, me gjymtyrët e invalidëve të luftës, me mundin dhe djersën e luftëtarëve të lirisë si dhe me djersën e popullit, janë bashkuar me pushtuesit dhe kolonizatorët sllavo-maqedonas dhe nga ana tjetër familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe luftëtarët e lirise i kanë lënë rrugëve dhe nën mëshirën e fatit dhe nën mëshirën e qeverisë sllavo-maqedonase, e cila i ka mbushur burgjet me luftëtarët e lirisë, në kohën kur po kjo qeveri të gjitha familjeve të policëve dhe ushtarëve sllavo- maqedonas të vrarë, apo të mbetur invalidë, jo vetëm që ju jep pensione, por dhe i’u siguron beneficione dhe privilegje shtetërore. 

5. Ashtu si dikur, kur burgjet e ish Jugosllavisë ishin mbushur plot e përplot me atdhetarë shqiptarë edhe tani në Kosovën Protektorat janë mbushur me çlirimtarë, me ish luftëtarë të UÇK dhe me atdhetarë që nuk pajtohen me statusin aktual të Kosovës dhe të viseve shqiptare të pushtuara dhe të kolonizuara nga pushtuesit dhe kolonizatorët serbo-malazezo sllavomaqedonas. Po ata titistë shqipfolës, të cilët gjatë luftës bashkëpunuan me armikun serb, sot përpilojnë lista dhe i denoncojnë çlirimtarët me akuza aq tepër bajate, për fajin e vetëm, sepse këta çlirimtarë luftuan kundër akupatorit serb, kundër policisë dhe ushtrisë kriminale të Serbisë. Çlirimtarët po barazohen dhe po krahasohen me kriminelët serbë, me të vetmin faj, sepse ishin vënë në mbrojtje të të pambrojturve shqiptarë të Kosovës, të cilët Lubia Serbe deshi ta zhbënte nga Kosova. Komandant Çeliku-Fatmir Limaj, po mbahet në burgun e Hagës dhe bashkëluftëtari i tij Komandant Vardari -Taip Mustafai, po mbahet në burgun e Tiranës. 

6. Përderisa me nderime të larta shtetërore, si nga pozita ashtu edhe nga opozita shqiptare e Republikës së Shqipërisë, u prit vrasësi i ushtarëve të Shqipërisë në postën ushtarake të Peshkopisë, të Gjirokastrës, (në kohën kur opozita aktuale ishte në pushtet) antishqiptari Nikollas Geixh, nga aeroporti i Rinasit, më 9 mars 2003, u ktheva unë shqiptari dhe Kryetari i Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH), dhe më 30 Qershor 2003, së bashku me Invalidin e Luftës së Kosovës Taip Mustafain, policia shqiptare edhe na arrestoi edhe po na mban po në atë burg ku vite më parë kishte mbajtur edhe Adem Jasharin, Zahir Pajazitin dhe Luan Hajradinajn. Dhe, ne vend që në burg dhe në këtë gjykatore të sillej vrasësi i ushtarëve të Republikës së Shqipërisë, po burgosemi dhe po gjykohemi ne shqiptarët, që jo vetëm as sa e zeza e thoit, apo as sa një fije floku nuk e kemi dëmtuar Nënën Shqipëri! 

Përkundrazi, gjatë aktivitetit tonë atdhetaro- luftarak e kemi ndihmuar dhe mbrojtur Nënën tonë të dashur, për çka dhe jemi dënuar dhe përndjekur nga pushtuesit e kolonizatorët serbo-malazezo-sllavo-maqedonas, si dhe të nxitur nga vullneti i sovranit popull, të sanksionuar edhe në Kushtetutën Republikes së Shqipërisë, punojmë dhe veprojmë që këtë vullnet të shprehur në preambulën e kushtetutës së Republikës së Shqipërisë" 
"Me aspiratën shekullore për identitetin dhe Bashkimin Kombëtar… " si dhe amanetin e dëshmorëve të kombit që nga lidhja shqiptare e Prizrenit e deri më sot, ta bëjmë realitet dhe Shqipërinë ta ribashkojmë dhe ta bëjmë të fortë, të zhvilluar, të përparuar dhe sovrane, ashtu siç e deshën dhe për çka luftuan, derdhën gjakun dhe flijuan edhe me të shtrenjtën, jetën e tyre, dëshmorët e kombit Shqiptar ndër shekuj. 

Zonja dhe Zotërinj! 

Besoj që jo vetëm Ju, por edhe mbarë opinionit tonë kombëtar në të gjitha hapsirat shqiptare të Shqipërisë Etnike dhe në diasporën shqiptare, si dhe opinionit ndërkombëtar i’u intereson se kush është dhe çka është Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH), prandaj më lejoni që shkurtimisht t'iu them si më poshtë vijon: 

1) Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH) është bashkim forcash politike, shoqatash joqeveritare, intelektualësh atdhetare dhe i masave të gjera popullore pa dallim krahine, feje ideje dhe përkatësi partiake, që punojnë, që veprojnë dhe luftojnë, për ribashkimin e trojeve shqiptare dhe të popullit që jeton në këto troje, në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar në Ballkan, me emrin Shqipëria e Bashkuar. 

2) FBKSH është krijuar më 12 dhe 13 korrik 2002 në Kuvendin Kombëtar të mbajtur në pallatin e Kongreseve të Tiranës, në të cilin kanë marrë pjesë 95 delegatë e delegate nga të gjitha hapsirat shqiptare të Shqipërisë Etnike dhe nga Diaspora Shqiptare, të cilët pasi miratuan Platformën dhe Statutin e FBKSH-së, zgjodhën edhe kryesinë Qendrore (25 anëtarëshe) të FBKSH-së dhe mua Valdet Vardarin më zgjodhën Kryetar të FBKSH-së. 

3) FBKSH nuk ka qënë dhe nuk është parti politike dhe me vendim të veçantë, të Sekretariatit Vendimmarrës të Kryesisë Qendrore të FBKSH-së, të 25 nëntorit 2002, e ka të ndaluar që të shndërrohet në parti politike. Pra, FBKSH do të veprojë deri në përmbushjen ë qëllimit të parë dhe të fundit të FBKSH-së, ribashkimit e trojeve shqiptare në një Shqipëri të Bashkuar . Me të arritur këtë qëllim të lartë fisnik, FBKSH do të pushojë aktivitetin e vet dhe të gjithë pjestarët e tij vetë do ta përcaktojnë aktivitetin e tyre të mëtejshëm, kurse partitë politike do të vazhdojnë aktivitetin dhe luftën e tyre politike për pushtetin në Shqipërinë e Bashkuar. 

4) FBKSH, nuk është as shoqatë qeveritare apo joqeveritare, sepse shoqatat joqeveritare janë të bashkuara dhe duhet të bashkohen në FBKSH, ngase vetëm në një Shqipëri të Bashkuar këto shoqata jo qeveritare, ashtu si partitë politike, do të ishin në gjendje që me ndershmërinë më të madhe të kryenin misionin e tyre dhe të zhvillonin aktivitetin e tyre, qoftë ky aktivitet human apo aktivitet intelektualo-atdhetar. 


5) Në ballë të FBKSH, si dhe në të gjitha strukturat drejtuese të tij, deri në këshillat e lagjeve dhe të fshatrave janë inkuadruar idealistët shqiptarë, atdhetarët e dëshmuar dhe të ridëshmuar edhe gjatë tri betejave të zhvilluara, të cilët ashtu siç janë të bindur që platforma e FBKSH është vazhdimësia e Programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, janë të bindur dhe të vendosur që të veprojnë ashtu siç vepruan ideologët dhe drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilët shkrinin pasuritë e tyre për ta bërë Shqipërinë. 

6) FBKSH, as nuk ka qënë organizatë ilegale, siç përpiqen që ta paraqesin disa dashakeqës, jo vetëm të FBKSH-së, por edhe të Bashkimit Kombëtar Shqiptar, sepse tanimë publikisht dihet fakti që Kuvendi Kombëtar i FBKSH është mbajtur në një sallë publike të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, si dhe Platforma e FBKSH jo vetëm që është vazhdimësia e Programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por vazhdimësia e betimit dhe e amanetit të heronjëve e dëshmorëve të kombit ndër shekuj. Është fakt se, 60% e kësaj Platforme të FBKSH bazohet edhe në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në të cilën theksohet aspirata për identitet dhe Bashkimin Kombëtar, kushtetutë kjo që para se ta aprovohej, më 21 tetor 1998, nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, si projekt kushtetute u votua dhe mori miratimin e mbi 80% të sovranit popull, të Republikës të Shqipërisë. 

7) Në qoftë se gjatë periudhës së aktivitetit të organizatave të fshehta, si dhe pas vitit 1990, kur organizatat dhe partitë politike shqiptare përmes programeve të tyre pretendonin që ta realizonin Bashkimin Kombëtar Shqiptar, dhe nga pas nuk kishin organizuar asnjë krah apo formacion luftarak ,si dhe nga ana tjetër, në qoftë se në kohën kur në skenën shqiptare doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), dhe këto organizata e parti politike nuk ishin në gjendje qe të bashkoheshin në një FRONT.., Fronti për Bashkim Kombëtër Shqiptar ka arritur që brenda një periudhe shumë të shkurtër (1 vjeçare), të organizohet në të gjitha hapsirat shqiptare të Shqipërisë Etnike dhe në Diasporën Shqiptare dhe të konsolidojë rreth vetes të gjitha strukturat adekuate me çka premton suksese në rrugën e lavdishme të ribashkimit kombëtar shqiptar. 

FBKSH po ta krahasonim me trupin e një njeriu do na jepte këtë pasqyrë: 
a) dora e djathë - Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH) 
b) dora e majtë - Sigurimi Kombëtar Shqiptar (SKSH) 
c) këmbët - Fondi Kombëtar Shqiptar (FKSH) 
Por, ky trup FBKSH me këto gjymtyrë, AKSH, SKSH dhe FKSH, doemos që e ka edhe kokën dhe në rastin konkret është Kryesi Qendrore e Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar, në kuadër të së cilës janë edhe kryetarët dhe sekretarët politikë të kryesive të Këshillave të FBKSH-së nga 6 zonat e FBKSH-së, si dhe sekretarët e 12 departamenteve të FBKSH-së.

Përderisa gjatë periudhës së 10 vjeçarit të fundit, u mbivlerësua faktori i jashtëm (faktori ndërkombëtar), dhe u nënvlerësua faktori i brendshëm (faktori popull), FBKSH konsideron dhe vendosshmërisht konstaton që, faktori popull është faktori kryesor dhe determinant për zgjidhjen e çështjes madhore kombëtare - ribashkimit kombëtar shqiptar.Prandaj edhe përpiqet që rreth vetes t'i bashkojë të gjitha forcat atdhetaro - luftarake me devizën: "PA BASHKIM POLITIK NUK KA BASHKIM LUFTARAK", si dhe apelon që ribashkimin kombëtar ta bëjmë me shqiptarët dhe për shqiptarët dhe, besojmë që edhe faktori ndërkombëtar shumë shpejt do të vetëdijësohet, se për të patur paqe dhe stabilitet në Europën e Bashkuar, fillimisht kjo paqe dhe ky stabilitet duhet të sigurohet në Ballkanin fuçi baroti, e cila mund të shuhet me krijimin e shteteve etnike në Ballkan. 

9) FBKSH, i organizuar pas përfundimit të tri betejave të zhvilluara viteve të fundit në hapsirat shqiptare të Shqipërisë Etnike, është i bindur se përkundër asaj që në aspektin e statusit juridiko-politik nuk kemi arritur asgjë përballë gjithë atij gjaku të derdhur në këto beteja, nga këto beteja kemi arritur që në popull të vritet frika dhe lartë e më larte të ngritet trimëria dhe krenaria kombëtare. 

Populli shqiptar dalëngadalë, por shumë i sigurt, po kërkon një rrugë tjetër, rrugën e ribashkimit kombëtar shqiptar. Jo vetëm unë por të gjithë ne, jemi dëshmitarë të kohës se sa me entuziazëm populli ynë e priti dhe e përqafoi pluralizmin politik, por besoj që Ju të gjithë do të pajtoheni me konstatimin tim se, populli ynë tanimë si këtu në Shqipërinë Londineze ashtu edhe në pjesët e saj, në Kosovën historike, në Luginë të Vardarit dhe në Mal të Zi e ka humbur besimin në partitë politike, përderisa nuk po del në zgjedhje, qofshin këto të përgjithshme apo lokale, bile shumë herë megjithë falsifikimet e shumta numri i votuesve nuk po arrin as 40% e zgjedhësve. 


10) FBKSH, vjen si domosdoshmëri e kohës edhe për një arsye tjetër. 

Pikërisht, në këtë kohë kur në hapsirat shqiptare të Shqipërisë Etnike është hedhur ideja, apo më mirë të them, po riaktualizohet ideja e vjetër e Beogradit dhe e Athinës për krijimin e Konfederatës Ballkanike, e cila popullit shqiptar po i kamuflohet me të ashtuquajturat integrime ballkanike. Pra, aktualisht në hapsirat shqiptare të Shqipërisë Etnike qarkullojnë dy koncepte kryesore: 
a) koncepti i parë, koncepti i integrimeve ballkanike, ideologët e të cilit propagandojnë se gjoja për t’u arritur integrimi i Shqipërisë në strukturat Euro- Atlantike fillimisht duhet të bëhet Integrimi Ballkanik, që në fakt është krijimi i Konfederatës Ballkanike në mes Shqipërisë, FYROM-it, Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë dhe më pas kjo Konfederatë Ballkanike të riintegrohet në Europën e Bashkuar. (Por, këta zotërinj, nuk na thonë se cili do të jetë statusi i Kosovës Protektorat, i Kosovës Lindore (Presheva, Medvegja dhe Bujanoci) i Luginës së Vardarit (Ilirida) dhe i Plavës, Guçisë dhe Ulqinit, si dhe i Çamërisë.) 
b) Koncepti i dytë, koncepti i FBKSH-së, i cili vetëm nga emërtimi kuptohet qartë se punon, vepron dhe lufton që fillimisht të bëhet riintegrimi ne vetvete, ribashkimi kombëtar shqiptar dhe më pas vetë sovrani popull përmes formës më demokratike - referendumit popullor do të vendosë për integrimet e mundshme të Shqipërisë së Bashkuar në strukturat dhe organizmat ndërkombëtare. 

Zonja dhe Zotërinj! 

Përfund me bindjen e patundur se Bashkimin Kombëtar mund ta bëjmë vetëm ne shqiptarët, si dhe me shpresën dhe bindjen e madhe, që 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë do ta festojmë me një Shqipëri të Bashkuar, siç qe shpallur nga Ismail Qemali dhe Isa Boletini me shokë, në Vlorën heroike, më lejoni që tek të gjithë liderët e partive politike shqiptare, tek drejtuesit e shoqatave joqeveritare tek intelektualet atdhetarë, tek rinia heroike e Shqipërisë Etnike dhe tek masat e gjëra popullore, të të gjitha hapsirave shqiptare të Shqpipërisë Etnike dhe të Diasporës Shqiptare, të APELOJ , që bashkarisht të punojmë për ribashkimin kombëtar shqiptar, sepse vetëm të bashkuar mund ta çojmë në vend amanetin e heronjve dhe të dëshmorëve të kombit shqiptar. Gjithashtu, kërkoj të apeloj që të mos pengohet dhe të mos sabotohet Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH), sepse të gjithë ata që tentojnë që të na pengojnë dhe të na sabotojnë në këtë mision të vështirë por tepër fisnik, duhet ta dinë se po pengojnë dhe po sabotojnë Programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Lidhjes Shqiptare të Pejës, të Konferencës së Bujanit dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Se po sabotojnë dhe po shkelin mbi gjakun dhe amanetin e heronjve dhe dëshmorëve të Kombit Shqiptar ndër shekuj, po shkelin mbi vullnetin e sovranit popull të shprehur përmes refendumit për Projekt Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe po shkelin aktin më të lartë juridik -kushtetutën e Republikës së Shqipërerise. 
Gjithashtu, po nga kjo gjykatore, dua që të APELOJ tek bashkësia ndërkombëtare, nëse në të vërtet dëshirojnë që njëherë e përgjithmonë në këtë Ballkan, në këte fuçi baroti, të ketë paqe dhe stabilitet të përhershën dhe me këtë rast edhe një Europë të Bashkuar dhe stabile, doemos dhe sa më shpejt të organizohet një Konferencë Ballkanike, në të cilën fillimisht do revidoheshin vendimet e Konferencës së Londrës (1913) dhe popullit shqiptar do t’i njihej e Drejta e Vetëvendosjes, që populli shqiptar i të gjitha krahinave të Shqipërisë Etnike (Shqipërisë Londineze, Kosovës Historike, Luginës së Vardarit, Plavë Gucisë-Ulqinit dhe i Camërisë) përmes referendumit popullor të deklarohej: 

1. probashkimit kombëtar apo 
2. kundër bashkimit kombëtar. 

Nëse, në këtë rast do të ndodhte që, më tepër se 50% e popullit shqiptar në të gjitha hapsirat e Shqipërisë Etnike, të deklarohej kundër ribashkimit kombëtar shqiptar, unë do të thirrja Kuvendin Kombëtar (të jashtëzakonshën të FBKSH) dhe do të shuanim aktivitetin e FBKSH dhe të strukturave të tij AKSH, SKSH dhe FKSH.Në këtë rast, ne nuk do të kishim të drejtën që të dilnim kundër vullnetit të sovranit popull. 

Në qoftë se e drejta me demokratike ( e garantuar jo vetëm me kartën e OKB, por edhe me të gjitha konventat ndërkombëtare) e Drejta e Vetëvendosjes nuk i njihet vetëm popullit shqiptar, unë kërkoj që strukturat drejtuese te Bashkësisë Ndërkombëtare, të deklaroheshin publikisht përmes një vendimi të shkruar, të cilin do të duhej që të ma dërgonin mua, që unë përsëri të kisha të drejtë që të thërrisja Kuvendin Kombëtar, të jashtëzakonshëm, të Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar, në të cilin organ më të lartë të FBKSH do të vendosej se si do të veprohej për të ardhmen. 
Pra, Zonja dhe Zotërinj, ne nuk jemi luftënxitës dhe destabilizues të Ballkanit, por përkundrazi ne kërkojmë që Bashkësia Ndërkombëtare njëherë e përgjithmonë, duke përmirësuar gabimin historik të baballarëvë të tyre dhe padrejtësitë historike nëpër konferencat ndërkombëtare, (ndër të cilat është ajo e vitit 1913 e njohur si Konferenca e Londrës, në të cilën Konferencë nga trungu i Shqipërisë u aneksuan më tepër se gjysma e trojeve të saj dhe ju dhuruan shteteve fqinje, pushtuesve dhe kolonizatorëve sllavo-grek), popullit shqiptar t’i njihet e Drejta e Vetëvendosjes, që nënkupton Ribashkimin Kombëtar Shqiptar dhe krijimin e shteteve etnike në Ballkan. 

Jemi paqëdashës dhe jemi mëse të bindur që nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në Europën e Bashkuar, në qoftë se kjo paqë nuk sigurohet në Ballkanin fuçi baroti, dhe paqa dhe stabiliteti në Ballkan nuk sigurohet kur Ballkanit i lihet epiteti "fuçi baroti", duke krijuar shtete multietnike të llojit alla ish RSFJ, prishja dhe shkatërrimi i së cilës tanimë u pa se çfarë tragjedish krijoi në Ballkan. 

Paqa dhe stabiliteti në Ballkan, në këtë rast edhe në Europë dhe më gjerë, sigurohet dhe garantohet vetëm me shtetet etnike si Shqipëria e Bashkuar, Bullgaria e Bashkuar, etj. Të gjithë ata që po i mbushin burgjet me luftëtarë të lirisë, siç po ndodh në Kosovën Protektorat, në Serbi, dhe në IRJM (FYROM), apo siç është dhe rasti më unikal në historinë botërore, kur çlirimtari Fatmir Limaj me shokë burgoset dhe barazohet me kriminelët Milosheviç me shokë, do të thotë që pas gjithë atyre masakrave më makabre të kryera nga policia dhe ushtria serbe e komanduar, jo vetëm nga krimineli Milosheviç, por nga një aparat dhune dhe presioni gjenocidesk i Serbisë, është një ogur i zi për Shqiptarët dhe për Kosovën në veçanti. 

Prandaj, të nderuara Zonja dhe Zotërinj të institucioneve ndërkombëtare, mos e bëni veshin e shurdhët përballë thirrjeve tona të pareshtura. Këtë fillimisht ua kemi bërë me dije, përmes Memorandumit të 21 shtatorit 2002, të cilin jua kemi dërguar në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe, (për dijeni dhe Republikës së Shqipërisë), që sa më parë në rrugë diplomatike të parandalojmë Luftën Ballkanike me pasoja të paparashikuara jo vetëm për Europën por edhe më gjërë. 

Zonja dhe Zotërinj! 

Ju mund edhe të më dënoni, sepse kështu po kërkon një shtet akoma i papranuar ndërkombëtarisht me emrin kushtetues, por si krijes artifiaciale, që është dhe mban emrin FYROM. Unë, jo vetëm që jame i bindur, por do të duhej që të gjithë projektuesit dhe zbatuesit e arrestimit, si dhe Ju, që po zhvilloni dhe drejtoni këtë proçes politik dhe këtë farsë gjyqësore, duhet të vetëdijësoheni, se edhe në nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet, " Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufirit shqiptar". 

Ju, jo vetëm që nuk duhet të na arrestoni, të na mbani në burg, të na gjykoni dhe të na dënoni, me çka edhe na pengoni që të mos mundemi të japim kontributin tonë modest në rrugën e ribashkim kombëtar shqiptar, por bazuar në preambulën dhe në nenin 8 të Republikës së Shqipërsisë, do të duhej të na ndihmonit në ketë mision të shenjtë dhe tepër fisnik të Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH).Për këtë, ju obligon libri i shënjtë -Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. 

Sa me perket mua, me lejoni që po nga kjo gjykatore të ribetohem : SE PËR ASNJË ÇAST NUK DO TA TRADHËTOJ BETIMIN DHE AMANETIN E DËSHMORËVE DHE SHOKËVE TË IDEALIT TIM, ME TË CILËT PARA 25 VITESH JAM BETUAR. NEËQOFTËSE PLUMBAT E ARMIKUT NUK DO T’I MIRËPRES DUKE BUZEQESHUR, TË GJITHË SHOKËT E IDEALIT PËR BASHKIM KOMBËTAR SHQIPTAR, TË RRESHTUAR NË RRADHËT E FRONTIT PËR BASHKIM KOMBËTAR SHQIPTAR DHE I GJITHË POPULLI SHQIPTAR, LE TË MË GJYKOJNË NË VARR SI TRADHËTAR TË KOMBIT SHQIPTAR. 


LAVDI DËSHMORËVË TË KOMBIT! 
PAÇA FATIN E TYRE TË NDRITUR! 
RROFTË POPULLI SHQIPTAR! 
RROFTË SHQIPËRIA E BASHKUAR! 


KRYETARI I FRONTIT PËR BASHKIM KOMBËTAR SHQIPTAR, 
Mr. GAFURR ADILI 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
  Facebook 'Like' Button
Today, there have been 3 visitors (6 hits) on this page!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free