Shqiperia-Etnike  
 
  Analiza-Komente 05/05/2024 2:52pm (UTC)
   
 

Shqipja e vogël e Maqedonisë - Blerina Rogova - Gaxha

Shqipja e vogël e Maqedonisë - Blerina Rogova - Gaxha

 

Maqedoninë e kam njohur vetëm për tërmetin e Shkupit dhe koncerteve të mëdha të rokut, e kam njohur në ditët e bukura me diell në liqenin e Ohrit dhe për ditët e dimrit në malet e Mavrovës. Tetovën, Strugën e Gostivarin i kam njohur vetëm kalimthi e krejt sipërfaqësisht.

Në Manastirin e gjuhës shqipe kam qenë një herë, por asgjë shqiptare s’kishte aty, sepse realisht, në vizitat e mia jo të shpeshta në Maqedoni, pak, vetëm pak shqiptari kam parë.

Profesori i letërsisë më kishte thënë se s’mund të bëhesha poete pa e vizituar Shën Naumin. Legjendat për të janë të moçme, ndërkaq historia flet se mbreti Zog ia paskësh bërë “dhuratë” mbretërisë jugosllave. Kushedi sa krijues kanë dështuar nga kjo “darovitje” e Zogut. Zogj plot ka sot mbi Bllacë. Historia e re e shqiptarëve nisi edhe aty. Ra një mort e u pamë, për së gjalli a për mort!

Në dy dekadat e fundit, një numër i paprecedentë monumentesh të reja është ndërtuar në gjithë ish-Jugosllavinë - qindra, ndoshta mijëra. Më shumë se njëmijë prej tyre kanë rënë si bombë ndërkohë, që papritur “gdhinë” edhe në Shkupin dikur, qyteti më i madh shqiptar.

Një dasmë shqiptare midis Shkupit maqedonas sot, dhe një familje e madhe shqiptare e përzier e bërë çervish në podiumin e një hoteli ku s’mund të kuptosh asnjë fjalë të kamerierit, dhe të bëhen të pafundme ato “tata-t” në fund të fjalëve.

Një familje e madhe shqiptare, e njëjtë me gjithë shqiptarët gjithkah. Mysafirët do të thonë: të shkretë janë, të shtypur shumë, gjynah! Njëmijë engjëj jashtë sallës kanë. Të gjithë maqedonas, me legjenda a me tapi. Njëmijë engjëj që promovojnë pikëpamje selektive dhe ndarëse të historisë. Asnjë engjëll shqiptar.

Ushtria e luftëtarëve, dijetarëve, heronjve e aleatëve. Asnjë engjëll shqiptar. Të vdekurit kanë ikur, ”engjëjt e gjallë” ndërkaq sikur të mos ekzistonin. Diku në periferi thanë se dergjej përmendorja “xhuxhe” e Skënderbeut, sepse ia kishin ndërtuar përballë hijen e zezë për të mos u parë.

Edhe popujt e vegjël gjithmonë kanë pasur disa emra të mëdhenj në të cilët janë mbështetur. Kë e kanë shqiptarët e Maqedonisë? Shteti ku jetojnë e ka shpërfaqur historinë, i ka shpërfaqur emrat, i ka shpërfaqur heronjtë, ka shpërfaqur kulturën, ka shpërfaqur rrugët dhe ka shpërfaqur gjuhën e tyre.

Ka krijuar një piramidë me fenë dhe një tjetër të përmbysur me politikën. Asgjë shqiptare përtej podiumit të një dasme të familjes shqiptare. Engjëjt flasin maqedonishten. Një pikëpamje gjithëpërfshirëse për pajtime a paqe nga ana e tyre? Përkundrazi! Ato ta thonë direkt se promovojnë pikëpamje selektive dhe ndarëse të historisë. Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë në asnjërin nga qindra memorialët e projektit qeveritar Shkupi 2014, përpos Skënderbeut në kalin e tij, që dergjet diku në “hamam të hyrës” në Shkup. Turp e faqja e zezë!!

Në sistemet totalitare dhe në sistemet me demokraci të brishtë, emrat e mëdhenj të dijes e të shkencës së një populli, jo rrallë kanë ditur të shndërrohen në autoritete morale të popujve dhe përtej kësaj në engjëj mbrojtës të tyre. Cilët janë emrat e mëdhenj të shqiptarëve të Maqedonisë? S’kam dëgjuar ndonjë zë të tij.

Jo për aq, sa të dijë se cili është zëri i vet popullit që e ka krijuar. Personalitetet e mëdha dhe personalitetet disidente, edhe po të ketë pasur, janë zhveshur nga disidentizmi, e ndoshta edhe nga pavarësia e tyre intelektuale, ose edhe më keq janë shpërngulur në Kosovë. Më shumë se kaq janë shndërruar në “figurantë" të pushtetit që në anën e atyre që nuk flasin me “tatata...” sheh vetëm një “fundamentalizëm islam”.

Thuhet se qenë të paktë shqiptarët që e kanë njohur Shqipërinë gjatë 50 vjetëve të regjimit, të paktë qenë shqiptarët që e kanë njohur Kosovën në 20 vjetët e “kapjes” së saj, por sa i kanë njohur këto të dyja shqiptarët e Maqedonisë? Ka “rënë një mort” dhe janë parë, dikur, sot secili interesin e vet në shtëpi të vet.

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
  Facebook 'Like' Button
Today, there have been 1 visitors (4 hits) on this page!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free